Trendet e TikTok-ut që prishin dhëmbët: çfarë nuk kthehet mbrapsht
Disa prej tyre duken të padëmshme: një gomë elastike, një limë, një sfungjer. Të tjerat duken serioze, sepse bëhen në klinikë, me përparëse dhe me dritë mbi kokë. Të pesta kanë një gjë të përbashkët — heqin diçka që nuk kthehet më. Një gomë, një limë, një telefon. Nga këtu nis gjithçka. · © Demiraqi […]
Disa prej tyre duken të padëmshme: një gomë elastike, një limë, një sfungjer. Të tjerat duken serioze, sepse bëhen në klinikë, me përparëse dhe me dritë mbi kokë. Të pesta kanë një gjë të përbashkët — heqin diçka që nuk kthehet më.

Dhëmbi nuk rritet përsëri
Lëkura pritet dhe shërohet. Kocka thyhet dhe ngjitet. Smalti i dhëmbit jo. Ai formohet një herë të vetme, para se dhëmbi të dalë në gojë, dhe aty mbaron. Çfarë hiqet prej tij, hiqet përgjithmonë.
Prandaj te dhëmbët pyetja e parë nuk është „a do të duket mirë“, por „sa hiqet, dhe a kthehet dot“. Pesë trendet e mëposhtme janë renditur nga më i lehti te më i rëndi. Të gjithë ndjekin të njëjtën rrugë.
1. Goma elastike për të mbyllur hapësirën mes dhëmbëve
Vihet një gomë rreth dy dhëmbëve të përparmë dhe lihet aty. Hapësira duket se mbyllet brenda pak ditësh. Pikërisht kjo shpejtësi është shenja që diçka nuk shkon.
Goma nuk rri ku vihet. Rrëshqet poshtë, nën mishin e dhëmbëve, dhe vazhdon të shtrëngojë aty ku nuk duket dhe nuk ndihet. Shoqata Amerikane e Ortodontëve ka nxjerrë paralajmërim publik pikërisht për këtë: goma mund t’i presë ushqimin rrënjës, dhe dhëmbi humbet përfundimisht. Ka raste të botuara ku dhëmbët janë dashur të hiqen, edhe te fëmijë.
Edhe nëse hapësira mbyllet, shkaku i saj mbetet: kafshimi, madhësia e dhëmbëve, vendi që kanë në hark. Dhëmbët kthehen aty ku ishin, ose hapet një hapësirë e re diku tjetër.

2. Limimi i dhëmbëve me limë thoi
Dhëmbët e sipërm nuk janë kurrë krejtësisht të njëjtë mes tyre. Limimi i buzës së tyre me një limë thoi i bën të duken të barabartë brenda pak minutash.
Smalti në buzën prerëse të një dhëmbi të përparmë është i hollë. Nën të qëndron dentina, që është më e butë, më e verdhë dhe e lidhur me nervin. Kur smalti hiqet, dhëmbi fillon të ndiejë të ftohtin, pastaj të ëmblën, pastaj dhemb pa shkak të dukshëm. Këshilltari shkencor i Shoqatës Dentare Britanike e ka thënë hapur: limimi dëmton përgjithmonë strukturën e dhëmbit dhe e bën më të prirur ndaj kariesit.
Ka edhe një pasojë që nuk pritet. Buza e limuar nuk mbetet e lëmuar — mbetet e ashpër dhe mban pllakë bakteriale, pikërisht aty ku duket më shumë.
Rregullimi i formës së dhëmbit ekziston si procedurë e vërtetë dhe bëhet te dentisti. Ndryshimi është se atje matet trashësia e smaltit dhe shihet kafshimi para se të preket gjë.

3. Zbardhimi me gjëra që nuk janë për gojën
Dy janë më të përhapurat: uji i oksigjenuar i fortë, i vendosur drejtpërdrejt mbi dhëmbë, dhe sfungjerët e bardhë të pastrimit të shtëpisë.
Sfungjeri i pastrimit është shkumë melamine. Kur laget, sillet si letër zmerile shumë e imët. Dhëmbi vërtet zbardhet — sepse fshihet sipërfaqja e tij. Vetë paketimi i këtyre produkteve thotë të mos përdoren mbi lëkurë.
Me ujin e oksigjenuar pyetja nuk është „po apo jo“, por sa i fortë dhe nën çfarë kontrolli. Edhe zbardhimi profesional bazohet te peroksidet. Ndryshimi është përqendrimi, koha, mbrojtja e mishit të dhëmbëve dhe një kontroll para fillimit. Përqendrimet e larta të vendosura në shtëpi djegin mishin, lënë njolla të bardha dhe dhëmbë që dhembin.
Ka edhe diçka tjetër që duhet thënë: jo çdo dhëmb i verdhë zbardhet. Nëse ngjyra vjen nga dentina, nga një trajtim i vjetër kanali ose nga një mbushje, zbardhimi nuk e prek atë. Kjo shihet me një kontroll, jo me një video.

4. Kurora mbi dhëmbë të shëndoshë
Ky është trendi që në rrjete ka marrë emrin „dhëmbët e Turqisë“, sepse shpesh lidhet me udhëtime jashtë shtetit. Por problemi nuk është vendi — është procedura, dhe ajo bëhet kudo.
Shumë njerëz mendojnë se po marrin faseta. Faseta është një shtresë e hollë që ngjitet mbi sipërfaqen e përparme dhe e ruan smaltin. Kurora është krejt tjetër gjë: dhëmbi zvogëlohet rreth e qark, nga të gjitha anët, derisa mbetet një kon i vogël. Nga një dhëmb i shëndoshë hiqet pjesa më e madhe e tij.
Pas kësaj nuk ka kthim. Dhëmbi i zvogëluar do të ketë gjithmonë nevojë për një kurorë mbi të. Kur kurora e parë zhvishet pas disa vitesh — dhe kjo ndodh gjithmonë — bëhet një e dytë, mbi një dhëmb që tashmë është më i vogël se më parë.
Ka edhe pasoja të menjëhershme. Për tu dukur sa më estetik këto qendra low cost bëjnë zvogëlimin e thellë i cili i afrohet nervit. Dentistë që i trajtojnë këta pacientë raportojnë dhëmbë që vdesin, trajtime kanali që nuk do të ishin dashur, abscese dhe mish të inflamuar rreth kurorave që nuk mbyllen mirë në buzë.
Anketa më e madhe mbi këtë temë, e Shoqatës Dentare Britanike me mbi një mijë dentistë, gjeti se 95% e tyre kishin parë pacientë të trajtuar jashtë shtetit dhe 86% kishin pasur për të trajtuar komplikacione. Trajtimi që më shpesh duhej ribërë ishin pikërisht kurorat.
5. Heqja e dhëmbëve të shëndoshë
Ky është hapi i fundit i së njëjtës rrugë, dhe më i rëndi. Pacientit i propozohet të heqë dhëmbë që ende janë të shëndetshëm, për të vendosur implante ose një urë të plotë — shpesh me arsyetimin se kështu mbarohet më shpejt, ose se kështu del më e bukur.
Ekspertë të implantologjisë në Shtetet e Bashkuara kanë folur publikisht për këtë: po hiqen dhëmbë krejtësisht të shëndoshë. Një dekan i një fakulteti dentar, pasi dha mendim të dytë për dhjetëra pacientë të rekomanduar për implante, gjeti se shumica e dhëmbëve mund të ruheshin.
Implanti është trajtim i mirë dhe i nevojshëm kur dhëmbi nuk shpëtohet. Nuk është përmirësim i një dhëmbi që shpëtohet. Një dhëmb i juaji, edhe me mbushje, edhe me trajtim kanali, ka diçka që implanti nuk e ka: ligamentin që e lidh me kockën dhe që e ndien forcën e kafshimit.
Dhe një gjë e thjeshtë: dhëmbi i hequr nuk kthehet. Kocka ku ai qëndronte fillon të tërhiqet që në muajt e parë.

Çfarë bëhet në vend të tyre
Për secilin nga këto trende ekziston një rrugë e vërtetë, dhe asnjëra nuk është e re.
Hapësira dhe dhëmbë të shtrembër — trajtim ortodontik, me aparat fiks ose me maskerina transparente, pas një vlerësimi që përfshin radiografi dhe shikim të kafshimit. Zgjat muaj, jo ditë. Kjo nuk është e metë e metodës; është koha që i duhet kockës për tu përshtatur.
Buzë të pabarabarta ose dhëmbë të vegjël — rregullim i formës te dentisti, ose rindërtim me kompozit, që shtohet mbi dhëmb dhe nuk heq prej tij.
Ngjyra — pastrim profesional së pari, sepse një pjesë e mirë e verdhësisë është njollë sipërfaqësore. Pastaj zbardhim i kontrolluar, nëse kontrolli tregon se ka kuptim.
Ndryshim i dukjes së buzëqeshjes — faseta që e ruajnë smaltin ekzistojnë dhe janë procedurë e njohur. Pyetja që i bëhet mjekut është e thjeshtë: sa milimetra hiqen, dhe a mbetet dhëmbi im poshtë.
Pse ka rëndësi kush e bën
Stomatologjia ka specialitete, ashtu si mjekësia. Lëvizja e dhëmbëve është puna e ortodontit. Mishi dhe kocka që i mbajnë janë puna e parodontologut. Rrënja dhe nervi janë puna e endodontit. Ndërhyrjet kirurgjikale janë puna e kirurgut maksilofacial. Secili prej tyre ka vite studimi pas fakultetit, jo një kurs.
Dallimi nuk është te dora. Është te ajo që shihet para se të preket dhëmbi. Një hapësirë mes dhëmbëve nuk është vetëm hapësirë — është kafshim, hark, kockë dhe nyje. Një dhëmb i shkurtuar nuk është thjesht më i shkurtër — ndryshon mënyra si takohen dhëmbët kur mbyllni gojën. Kush e ka parë këtë qindra herë, e di çfarë lëviz bashkë me të. Kush nuk e ka parë, e kupton më vonë.
Prandaj pyetja „kush do ta bëjë“ nuk është e pasjellshme. Është pyetje e zakonshme, dhe çdo klinikë e mirë përgjigjet pa u mërzitur: kush e bën, çfarë ka studiuar, dhe nëse rasti kërkon më shumë se një mjek. Rastet e ndërlikuara nuk i zgjidh një emër i vetëm — i zgjidh një plan ku secili bën pjesën e vet.
Tri pyetje para se të pranoni një plan trajtimi
1. Çfarë hiqet prej dhëmbit tim, dhe a kthehet? Kërkoni përgjigje me fjalë të thjeshta. „Pak“ nuk është përgjigje.
2. Pse ky trajtim dhe jo një më i vogël? Nëse ju propozohet kurorë, pyesni pse jo faseta ose kompozit. Nëse ju propozohet heqje, pyesni pse dhëmbi nuk shpëtohet.
3. Kush merret me të nëse diçka nuk shkon, dhe kur? Çdo trajtim ka nevojë për kontrolle pas tij. Një plan pa kontrolle nuk është plan i plotë.
Nëse një plan kërkohet të pranohet po atë ditë, kjo në vetvete është arsye për të pritur. Një mendim i dytë nuk prish asgjë. Një dhëmb i zvogëluar, po.
Nëse keni dyshim
Nëse keni provuar diçka nga këto dhe tani ndieni dhimbje, ndjeshmëri ose mishra që gjakosen, mos prisni. Sa më herët shihet, aq më pak hiqet.
Nëse po mendoni një trajtim të madh — brenda ose jashtë shtetit — dhe doni ta shohë dikush para se ta nisni, na shkruani ose na telefononi.
[email protected] · +355 67 566 9542 · +355 4 2230703